Tiranë, konferencë për mbikëqyrjen e financave të fushatave zgjedhore


3

Me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës dhe nën kujdesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë (KQZ) po organizohet në Tiranë konferenca në formën e një tryeze diskutimi me temë “Struktura e mbikëqyrjes së financave të fushatave zgjedhore dhe partive politike”.

Klement Zguri, kryetar i KQZ-së, në hapje të konferencës theksoi se transparenca është matësi për cilësinë e zgjedhjeve, duke shtuar se cilësia e reformës së ardhshme zgjedhore, “matësin e vet e ka gjithashtu tek transparenca financiare dhe e shpenzimeve të fushatës.

“Sa më shumë partitë do pranojnë transparencën dhe llogaridhënien publike si standarde të domosdoshme zgjedhore, aq më i madh do jetë kontrolli i shoqërisë mbi ligjshmërinë e fushatave, aq më i vogël do jetë abuzimi dhe manipulimi i vullnetit të zgjedhësve, aq më e pastër do jetë konkurrenca politike dhe aq më të mira do jenë zgjedhjet. Nevojitet kuadër i ri rregullator, i qartë dhe i harmonizuar, transparencë paraprake e fondeve të fushatës nga ana e partive politike, bashkëpunim i plotë i partive me monitoruesit, metodologji moderne monitorimi dhe raportim në kohë i gjetjeve. Publiku duhet të ketë akses të plotë tek informacioni për financimin përpara dhe pas datës së zgjedhjeve”, theksoi Zguri.

Sipas tij, ndryshimet e fundit ligjore të bëra nga Kuvendi i Shqipërisë pak ditë para zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, ia kanë shtuar kompetencat e KQZ-së përsa i përket rritjes së transparencës së financimit të partive politike.

Ai theksoi më tej se “KQZ-ja ka vullnet të plotë për ta përmbushur këtë detyrë me sukses. Siç dihet tashmë, aktet nënligjore të miratuara nga KQZ për monitorimin e fushatës zgjedhore u hartuan më ndihmën e ekspertëve të KiE-së brenda një kohe shumë të shkurtër. Aktualisht, KQZ me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës po punon intensivisht për strukturën e mbikëqyrjes së financimit të partive politike dhe fushatave zgjedhore.”

Në konferencën dy ditore që ka filluar sot, do të marrin pjesë ekspertë të huaj dhe vendas për zgjedhjet, si dhe përfaqësues të institucioneve të larta që merren me menaxhimin e proceseve zgjedhore, ku do të diskutohet për rritjen e kapaciteteve të strukturave që mbikëqyrin financimin e partive politike, proceset e monitorimit të financave për partitë politike, etj. /Rtv Drita/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *