Muslimanët e Arakanit vazhdojnë të ikin nga masakrat në Mianmar


12

Muslimanët e Arakanit vazhdojnë të largohen nga shtëpitë e tyre nga shtypja dhe dhuna gjatë operacioneve të vazhdueshme ushtarake në shtetin Rakhinë të Mianmarit.

Sipas Kombeve të Bashkuara, që nga 25 gushti i këtij viti, kur ushtria nisi një goditje kundër militantëve, 519 mijë muslimanë të Arakanit kanë kaluar nga Mianmari në Bangladesh.

Shumica e muslimanëve të cilët lëshuan shtëpitë janë strehuar në kampet e improvizuara në Cox’s Bazar dhe Teknaff që ndodhen në kufi me Mianmarin.

Qytetarët e Bangladeshit ditën e djeshme formuan një komision për të hetuar gjenocidin në Arakan, i cili ka detyruar mijëra muslimanë të ikin nga shtëpitë e tyre. Komisioni i përbërë prej 35 anëtarësh njoftoi se puna e tyre do të jetë që së pari të ndalojnë torturën ndaj refugjatëve Rohingya dhe pastaj të krijojnë një mjedis të favorshëm për ata që të kthehen në shtëpi.

Udhëheqësit e këtij komisioni thanë se së fundi, ata do të kërkojnë “dënim për ata që kanë kryer këto krime”, ndërkohë theksuan se në dhjetor mund të shkojnë në Gjenevë që të kërkojnë nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera humanitare të formojnë një komision hetimor ndërkombëtar.

Ndryshe, më 25 gusht, në qytetin Maungdaw të Arakanit u ndërmorën sulme simultane ndaj disa stacioneve. Duke u arsyetuar me këto sulme, ushtria e Mianmarit, nisi masakër ndaj civilëve, duke djegur dhe shkatërruar vendbanimet e pakicës muslimane. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Gjatë sulmeve të fundit të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë djegur ose shkatërruar rreth 200 fshatra.

Ndërkaq, 84 për qind nga gjithsej afër dy milionë muslimanë të Arakanit që janë përballur me sulme sistematike dhe spastrim etnik në Mianmar që nga vitet e 70-ta, janë strehuar në vendet fqinje./Rtv Drita/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *