Kosovë, fillon faza e dytë e hartimit të Kodit Civil


9

Ministria e Drejtësisë dhe Zyra e BE-së në Kosovë sot filluan projektin “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”. Projekti, të cilin e financon Bashkimi Europian me mbi 2.3 milionë euro, vazhdon të mbështesë finalizimin e Kodit civil gjithëpërfshirës dhe modern për Kosovën.

Kodi Civil i Kosovës do të hartohet sipas kodit gjerman, por i përshtatur me rrethanat dhe ligjet kosovare, dhe me direktiva të modernizuara të Bashkimit Europian.

Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Abelard Tahiri vlerësoi se Kodi Civil është kodi më i rëndësishëm pas Kushtetutës, dhe hartimi i tij paraqet reformën më të lartë në sferën e të drejtave civile.

“Zhvillimi i sistemit funksional, marrëdhënieve detyrimore, të drejtave pronësore dhe të pronësisë, si dhe të drejtat familjare dhe të trashëgimisë, adreson nevojë të madhe të zgjidhjes së problemeve komplekse dhe sfidon zbatimin dhe interpretimin në praktikë të normave ekzistuese ligjore”, tha Tahiri.

Shefja e Zyrës së BE-së për Kosovën, Natalia Apostolova theksoi se BE-ja tashmë ka investuar 1.9 milionë euro në hartimin e draft Kodit të parë Civil nga ana e ekspertëve lokalë dhe ndërkombëtarë, ndërsa gjatë fazës së dytë pritet të përfundojë dhe të implementohet.

Ajo theksoi se debatet publike duhet të jenë bazë për zbatimin e të gjitha projekteve, meqë vetëm në këtë mënyrë mund të vjen deri te Kodi i pranueshëm për shoqërinë.

“Kodi Civil gjithëpërfshirës është pjesë e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim (MSA) dhe me këtë hapet rruga e mëtejshme e Kosovës drejt Bashkimit Europian. Kodi i ri Civil do të ndihmojë njerëzit që më mirë të kuptojnë të drejtat e tyre dhe po ashtu të gjithë pjesëmarrësit e shoqërisë do të informohen më mirë. Kodi Civil është një nga themelet kryesore të funksionimit të shtetit ligjor”, tha Apostolova.

Ajo shtoi se Kodi duhet të shkruhet në gjuhën e rëndomtë, i kuptueshëm për të gjithë.

Kryesuesit e projektit “Mbështetje Kodit Civil – faza 2” janë ekspertët, Alfons Lentze dhe Haxhi Gashi. Lentze theksoi se është me rëndësi se çfarë mendojnë qytetarët dhe të merret parasysh praktika gjyqësore.

“Së bashku me Ministrinë e Drejtësisë u dakorduam se draft versionin e parë do ta kemi në mars, për të pasur konsultime për draft versionin e dytë para vitit të ri me qëllim që ta dërgojmë në Kuvendin e Kosovës në fillim të vitit 2019”, tha Lentze.

Profesor Gashi vlerësoi se cilësia e këtij Kodi do të përcaktojë edhe cilësinë e jetës së qytetarëzve dhe doemos të jetë sa më i qartë dhe i zbatueshëm në praktikë./Rtv Drita/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *